Hyrje në vullnetarizmin në MB

Image
A person taking part in a community art project

Kjo fletë informacioni është një nga katër burimet e përkthyera të krijuara për t'ju ndihmuar të kuptoni dhe të bëni zgjedhje rreth vullnetarizmit në MB.

Çfarë është vullnetarizmi?

Ka ndryshime të mëdha në mënyrën se si njerëzit, organizatat dhe qeveritë mendojnë dhe praktikojnë vullnetarizmin në mbarë botën.

Në MB, nëse zgjidhni të bëni diçka të papaguar, me synimin për të sjellë një ndryshim pozitiv për një individ, komunitet ose botën ku jetojmë, ky veprim konsiderohet si vullnetarizëm.

A mund të jem vullnetar?

Po! Çdokush mund të jetë vullnetar. Një përqindje e madhe e njerëzve që jetojnë në MB dalin vullnetarë për të mbështetur komunitete dhe projekte në një moment të jetës së tyre. 

  • Ju mund të dilni vullnetar nëse kërkoni azil
  • Ju mund të dilni vullnetar nëse keni statusin e refugjatit
  • Ju mund të dilni vullnetar nëse kërkoni përfitime

Pse duhet të dal vullnetar?

Ju mund të dëshironi të dilni vullnetar për të qenë pjesë e një ekipi që po sjell ndryshim në komunitetin tuaj. Përveç kësaj, nëse përfshiheni në një mundësi të mirë vullnetarizmi, mund të bëni miq, të lidheni me zonat dhe kulturat lokale dhe të krijoni aftësi dhe përvojë. Ju gjithashtu mund të zbuloni se vullnetarizmi ju ndihmon të përmirësoni cilësinë e jetës, mirëqenien, shëndetin dhe aftësinë për të siguruar punë. Shihni fletën tonë të informacionit me titull "planifikimi për t'u bërë vullnetar i mirë në MB" për më shumë informacion.

Çfarë nuk konsiderohet vullnetarizëm në MB?

  • Nëse jeni duke punuar në një punë që zakonisht do të paguhej, por po e bëni falas ose për përfitime të tjera me vlerë
  • Nëse jeni të detyruar të punoni pa pagë
  • Nëse jeni duke bërë diçka për të ndihmuar një anëtar të afërt të familjes ose një biznes
  • Nëse jeni duke bërë praktikë ose stazh të papaguar.

Ku mund të dal vullnetar?

Ka shumë mundësi vullnetarizmi në organizata joqeveritare (OJQ), grupe dhe institucione. Këtu përfshihen:

  • Mundësitë për të bërë punë vullnetare në art dhe kulturë, sporte, kujdes shëndetësor dhe social, arsim, zhvillim të të rinjve dhe komunitetit, mjedis, natyrë, organizata për kafshë, shërbime emergjente, polici dhe forca të armatosura.
  • Mundësitë për të bërë punë vullnetare për grupe të veçanta, për shembull për të moshuar ose njerëz me prejardhje emigrimi.
  • Mundësitë për të dalë vullnetar për një çështje të caktuar, për shembull, varfërinë, strehimin, një gjendje shëndetësore ose përjashtimin digjital.
  • Mundësitë për të ofruar vullnetarisht aftësitë, për shembull: projektim, drejtim automjeti, kontabilitet, TI, përkthim, shëndet ose mësimdhënie. Ju gjithashtu mund të preferoni të përfshiheni në një mënyrë më pak formale, ndoshta duke u bashkuar me fqinjë ose njerëz të tjerë që kujdesen për çështje ose nevoja në komunitet.

Mundësitë e disponueshme për ju mund të ndryshojnë në varësi të faktorëve duke përfshirë vendin ku jetoni. Shfaqja kohët e fundit e vullnetarizmit në distancë dhe në internet mund të ndihmojë në hapjen e një game më të gjerë mundësish për ju.

Vullnetarizmi formal

Mundësitë formale të vullnetarizmit përfshijnë vullnetarë që trajnohen dhe mbështeten për të kryer detyra specifike në një mënyrë të veçantë, për të ndihmuar një organizatë në arritjen e një qëllimi.

Në një rol zyrtar, ju do të menaxhoheni nga një menaxher vullnetar dhe mund të dilni vullnetarë së bashku me një ekip të përzier kolegësh me pagesë dhe vullnetarësh të tjerë. Çfarë mund ose nuk mund të bëni dhe mënyra e menaxhimit të projektit do të ndikohen nga detyrimet, politikat dhe çdo angazhim që një organizatë ka ndaj financuesve, partnerëve të projektit dhe komuniteteve. Si rezultat, nëse dëshironi të përfshiheni, do t'ju duhet të nënshkruani një marrëveshje vullnetarizmi ose kod sjelljeje. Kjo nuk është një kontratë.

Organizatat zakonisht i reklamojnë këto mundësi dhe ju ftojnë të aplikoni, shpesh me një formular aplikimi ose me një video të regjistruar. Pas aplikimit, mund të thërriteni në një intervistë dhe do t'ju kërkohet të jepni pëlqimin për "kontrollet e të shkuarës" tuaj (shihni fletën tonë të informacionit me titull "hyrje në kontrollet e të shkuarës").

Nëse ju ofrohet roli, do t’ju bëhet një prezantim gjithëpërfshirës ku shpjegohet se si funksionon gjithçka dhe do t’ju jepen para për të mbuluar shpenzimet e udhëtimeve, pijeve freskuese dhe çdo pajisjeje të nevojshme. Gjithashtu, mund t'ju vihen në dispozicion burime për t'u siguruar që të merrni pjesë; për shembull, organizata mund të jetë në gjendje të mbulojë kostot e kujdesit për fëmijët ose kostot e të dhënave. Ju do të merrni mbështetje dhe trajnim të vazhdueshëm dhe do të mund të përdorni menaxherët vullnetarë si referues për punësime në të ardhmen dhe qëllime të tjera.

Organizatat dhe autoritetet kanë shumë arsye të ndryshme për krijimin e mundësive formale të vullnetarizmit. Arsyet pse krijohet një mundësi mund të ndikojnë shumë në përvojën e vullnetarizmit. Për shembull, nëse jeni vullnetar në një projekt të krijuar për të zgjeruar veprimtarinë e një organizate, nuk do të ndiheni njësoj si në një projekt që është krijuar kryesisht për të mirën e vullnetarëve që marrin pjesë.

Vullnetarizmi joformal

Kur njerëzit veprojnë me miqtë, fqinjët ose grupet e besimit dhe komunitetit për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të adresuar problematika, kjo shpesh shihet si "vullnetarizëm joformal".

Njerëzit që dalin vullnetarë në komunitetet e tyre ose në mënyra më pak formale, kanë më pak gjasa të identifikojnë veten si vullnetarë dhe shumë herë përdorin emërtime me të cilat ndihen rehat, ose që mendojnë se përshkruajnë më praktikisht atë që bëjnë, si p.sh. "merr pjesë në komunitet", "ndihmon", "jep dhe merr ndihmë" ose "vepron në solidarizim".

Vullnetarizmi joformal zakonisht vjen nga njerëz që punojnë së bashku duke përdorur burime nga brenda komunitetit të tyre për të adresuar problematikat e përbashkëta

Historikisht, zyrtarët dhe financuesit punojnë veçmas vullnetarëve joformalë, përveç në kohë krize si gjatë epidemisë së Covid. Kur shihet se vullnetarët joformalë po bëjnë një gjë të mirë, ata shpesh inkurajohen të ndërmarrin hapa për t'u bërë një organizatë zyrtare. Për disa grupe, bërja e këtij ndryshimi funksionon, por për të tjerë merr shumë kohë dhe energji dhe mund të nënkuptojë kompromentimin e rrënjëve, kulturës dhe vlerave të projektit të tyre.

Ndërkohë që personat e përfshirë në vullnetarizmin joformal japin kontribute të rëndësishme për komunitetet tona, ata shpesh nuk fitojnë të njëjtat avantazhe si vullnetarët e përfshirë në vullnetarizmin formal, ose të njëjtën mbështetje për sa i përket trajnimit dhe zhvillimit, referencave, shpenzimeve, çmimeve dhe shumë të tjera.

Ndarja e përvojës time jetësore

Ndarja e njohurive tuaja si person me një përvojë të veçantë jetësore mund të bëhet si vullnetar ose si konsulent me pagesë.

Për shembull, nëse keni përvojë në përdorimin e transportit publik si person që ka ardhur në MB, do të keni shumë njohuri që mund t'i ndihmojnë planifikuesit e transportit të përmirësohen. Ju mund të jeni në gjendje të identifikoni çështje, sfida ose mundësi të veçanta që njerëzit e tjerë nuk munden, për shkak të personit që jeni ju dhe përvojave që keni pasur.

Mund të dëgjoni terma si "pjesëmarrje", "bashkëprodhim", "të kesh një zë" ose "të kesh ndikim" për të përshkruar këtë aktivitet. Njerëzit në këtë situatë përshkruhen ndonjëherë si "Ekspertë nga përvoja personale".

Kjo është krejtësisht e ndryshme nga shumica e punëve vullnetare të tjera, pasi përfshin ofrimin e ekspertizës së fituar nga përvoja juaj për të ndikuar dhe udhëhequr punën e shërbimeve, dhe arsyet dhe mënyrën e ofrimit të tyre. Shihni fletën tonë të informacionit me titull "çfarë është pjesëmarrja" për më shumë informacion.

Një histori e shkurtër e vullnetarizmit në MB

Ky seksion synon të ndihmojë njerëzit të kuptojnë se si ka evoluar vullnetarizmi. Mund të jetë me interes për të kuptuar se çfarë mendojnë dhe ndjejnë njerëzit për vullnetarizmin, si dhe për të kuptuar disa nga stereotipat dhe kritikat e vullnetarizmit. Nëse dëshironi të merrni direkt informacion se si të përfshiheni në vullnetarizëm, ju lutemi të shikoni fletët tona të tjera të informacionit "planifikimi për t'u bërë vullnetar i mirë në MB” dhe "hyrje në kontrollet e të shkuarës", të cilat janë shumë më praktike.

Historikisht, ashtu si në vendet e tjera, njerëzit në MB janë mbledhur për të ndihmuar në plotësimin e nevojave që qeveria dhe autoritetet lokale nuk plotësojnë dhe për të sjellë diçka shtesë në komunitetet dhe mjedisin e tyre.

Ndërkohë që shumë nga ky vullnetarizëm ka komplimentuar punën e autoriteteve, ka gjithashtu një histori të gjatë të njerëzve të zakonshëm që organizohen me të tjerët për të bërë fushata për ndryshim ose për të krijuar mënyra të pavarura për të zgjidhur problemet.

Sot, është e zakonshme që këshillat dhe qeveria të mbështeten te vullnetarët për të ofruar aktivitete dhe shërbime të rëndësishme dhe për të bërë të mundur evente të mëdha si Lojërat Olimpike.

Është gjithashtu gjithnjë e më e zakonshme që vullnetarizmi të përshkruhet nga mjekët dhe punonjësit mbështetës, si një mënyrë që njerëzit të përmirësojnë potencialin e punësimit, lidhjet sociale, shëndetin dhe mirëqenien.

Në të kaluarën shumë organizata kanë krijuar mundësi për punë vullnetare më të përshtatshme për njerëzit me kohë të lirë, zgjedhje të lirë dhe mundësi. Kjo e ka bërë më të vështirë që njerëzit me më pak mundësi ose me më pak kohë, të kontribuojnë dhe të përfitojnë përmes vullnetarizmit. Tani, me kontributin dhe udhëheqjen e njerëzve nga një larmi prejardhjesh, shumë organizata vullnetare po krijojnë mundësi pune vullnetare që janë më të sigurta, më të aksesueshme dhe më tërheqëse për t'iu bashkuar.

Në vitet e ardhshme në MB, ka të ngjarë që vullnetarët të kërkohen gjithnjë e më shumë për të ndihmuar me shërbimet thelbësore dhe për të përmbushur nevojat e reja në komunitetet tona.  Kjo do të çojë në një shumëllojshmëri të llojeve të vullnetarizmit ku njerëzit mund të përfshihen dhe të përfitojnë.

Për azilkërkuesit që nuk mund të punojnë dhe për njerëzit që punojnë për të ndërtuar jetën në MB, këto mundësi vullnetarizmi në zhvillim mund të jenë një mënyrë e mirë për të kuptuar dhe për t'u bërë pjesë më aktive e komuniteteve lokale, për të shfrytëzuar mirë kohën dhe për të përmbushur shumë nevoja dhe ambicie personale.

>Kjo fletë informacioni është hartuar nga "Migration Yorkshire"  në dhjetor 2022. Nëse keni pyetje, ju lutemi të na kontaktoni dhe ne do të bëjmë çmos për t'ju ndihmuar: admin@migrationyorkshire.org.uk  ose 0113 378 8188 

Logo for Asylum Migration and Integration Fund

Logo for Refugee Integration Yorkshire and Humber

Contact us

For more information, please contact us at:
admin@migrationyorkshire.org.uk