Çfarë është pjesëmarrja e refugjatëve dhe pse ka rëndësi?

Image
A refugee woman with a loudspeaker

 

Në Mbretërinë e Bashkuar, gjithmonë e më shumë shërbime po u japin klientëve të tyre hapësirë për t’u dëgjuar dhe mundësi për të ndikuar në mënyrën se si ofrohen shërbimet. Kjo quhet "pjesëmarrje". Kjo broshurë shpjegon se çfarë është pjesëmarrja, si dhe përfitimet që mund t’ju sjellë ju dhe shërbimeve të cilat aksesoni. 

Kur të mbërrini në Yorkshire dhe Humber, mund të aksesoni shumë shërbime të ndryshme që ju ndihmojnë të rindërtoni jetën tuaj këtu. Këto shërbime përfshijnë kujdesin shëndetësor, arsimin, bibliotekat, strehimin, bamirësitë dhe të tjera. Llojet e shërbimeve që aksesoni varen nga faktorë të ndryshëm, si statusi juaj i imigrimit dhe nevojat tuaja.  

Disa shërbime ofrohen nga qeverisja qendrore dhe lokale - si shkollat, këshillimi për strehimin, përfitimet e mirëqenies, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS), ose policia. Shërbime të tjera ofrohen nga kompani private ose individë. Ndërsa, disa shërbime të tjera ofrohen nga organizatat bamirëse dhe organizatat vullnetare. 

Ndonjëherë, mund të ndodhë që të mos merrni mjaftueshëm mbështetje nga disa shërbime. Për shembull, mund të keni nevojë për mbështetje nga interpretues, por ata jo gjithmonë ofrohen. Ose mund t’ju kërkohet që të udhëtoni në distanca të largëta për një takim dhe mund të keni vështirësi për të shkuar.  

Kjo mund të jetë frustruese dhe mund të ndiheni sikur duhet të merrni më shumë mbështetje ose shërbime më të mira. Edhe nëse ofruesit e shërbimeve po bëjnë më të mirën e tyre, mund të ndjeni sikur nuk janë të vetëdijshëm për nevojat tuaja specifike. Në këto situata, mund të doni të flisni, në mënyrë që ata t’ju dëgjojnë dhe të marrin në konsideratë pikëpamjet tuaja. 

Çfarë është pjesëmarrja? 

Pjesëmarrja përfshin: 

  • Marrjen e një informacioni më të mirë rreth shërbimeve. 

  • Ndarjen e pikëpamjeve tuaja rreth shërbimeve. 

  • Përfshirjen në vendime për shërbimet. 

Pjesëmarrja është ndarja e njohurive, aftësive, pikëpamjeve dhe shqetësimeve me ofruesit e shërbimeve, organizatat dhe komunitetet dhe ka mënyra të ndryshme për të marrë pjesë. Për shembull, ju mund të merrni pjesë duke u mirinformuar rreth shërbimeve të disponueshme në zonën tuaj lokale ose duke ndihmuar në formësimin e shërbimeve që ju nevojiten.  

Shoqata Ndërkombëtare për Pjesëmarrjen Publike (International Association for Public Participation) identifikon pesë nivele të ndryshme të pjesëmarrjes: 

  • Informimi - kur ju ofrohet informacion në mënyrë që të mund të kuptoni se si ofrohen shërbimet. 
  • Konsultimi - kur shërbimet kërkojnë komentin apo opinionin tuaj për diçka.
  • Përfshirja - kur shërbimet punojnë me ju për të siguruar që pikëpamjet tuaja të merren gjithmonë në konsideratë. 
  • Bashkëpunimi - kur shërbimet punojnë me ju për të gjetur zgjidhje. 
  • Fuqizimi - kur ju ndihmoni për të marrë vendimet përfundimtare për shërbimet. 

Sa më i lartë të jetë niveli, aq më shumë ndikim kanë pikëpamjet tuaja në vendime. 

Pjesëmarrja kontribuon në ndryshimin pozitiv brenda organizatave. Pjesëmarrja është e dobishme për ofruesit pasi i ndihmon ata të kuptojnë nevojat e përdoruesve dhe u jep mundësinë që të mësojnë nga njohuritë dhe përvoja e përdoruesve për të zgjidhur problemet, për të eliminuar barrierat dhe për të përmirësuar shërbimet. Organizatat që inkurajojnë pjesëmarrjen zhvillojnë shërbime efektive dhe novatore, kuptojnë shpejt nevojat e njerëzve dhe parandalojnë problemet.

Çfarë mund të fitoni nga pjesëmarrja? 

Pjesëmarrja ka një ndikim pozitiv tek të gjithë përdoruesit e shërbimeve, duke qenë se mund të sjellë përmirësimin e shërbimeve. Por edhe ju mund të përfitoni jashtëzakonisht nga përfshirja, qoftë në praktikën tuaj mjekësore lokale ose në një bamirësi. Për shembull: 

 

  • Mund të bëheni më të vetëdijshëm për të drejtat tuaja, për ato që ju takojnë, dhe për përgjegjësitë tuaja. 

  • Mund të zhvilloni një kuptim më të mirë të shërbimeve që ju ofrohen. 

  • Mund të kini zë në mënyrën se si shërbimet planifikohen dhe ofrohen. 

  • Mund të merrni pjesë në aktivitete dhe evente, të takoni njerëz të rinj nga prejardhje të ndryshme dhe të lidheni me njerëz të tjerë në komunitetin tuaj lokal. 

  • Mund të qëndroni të përditësuar me udhëzimet dhe rregulloret në lidhje me çështje të ndryshme, si emergjencat shëndetësore. 

  • Mund të përfitoni më shumë mundësi për të praktikuar anglishten, për të mësuar për kultura dhe tradita të tjera dhe për të kuptuar perspektivat e të tjerëve. 

  • Mund të fitoni përvojë në fusha në të cilat keni interes dhe të përmirësoni aftësitë tuaja, për shembull aftësitë e komunikimit dhe aftësitë drejtuese 

  • Mund të njiheni më mirë me nevojat e komunitetit tuaj. Mund të mësoni se si të përfaqësoni dhe advokoni për komunitetin tuaj duke ndihmuar organizatat në projektimin e shërbimeve më të mira. 

  • Mund të zhvilloni një ndjenjë krenarie dhe fuqizimi teksa bëheni më të përgjegjshëm për shërbimet që ju ndihmojnë të integroheni me më shumë sukses në komunitetin tuaj. 

  • Mund të rrisni vetëbesimin tuaj. 

Siç mund ta shihni, pjesëmarrja ka shumë përfitime. Përfshirja në ofrimin e shërbimeve dhe në komunitete është një mundësi unike që të zhvilloheni si nga ana personale ashtu edhe nga ajo profesionale dhe që të jepni një kontribut pozitiv në jetët e të tjerëve.  

Mund të lexoni broshurat e tjera në këtë seri për të zbuluar më shumë rreth pjesëmarrjes dhe se si të përfshiheni.

Logo for Asylum Migration and Integration Fund

Logo for Refugee Integration Yorkshire and Humber

Contact us

For more information, please contact us at:
admin@migrationyorkshire.org.uk