Kontrollet e precedentëve penalë për personat në kërkim të vullnetarizmit dhe punësimit

Image
Photo of two hands typing on a laptop keyboard

 

Në fletën tonë të informacionit "Hyrje në verifikimin e pastërtisë së figurës për punëkërkuesit dhe vullnetarët"kemi shpjeguar arsyen se pse mund të jetë e nevojshme që organizatat të kontrollojnë nëse keni precedentë penalë përpara se t'ju ofrojnë një punë ose një rol vullnetar, si dhe kemi dhënë informacion në lidhje me Shërbimin e Zbulimit dhe Ndalimit (Disclosure and Barring Service, DBS) që është përgjegjës për kryerjen e kontrolleve në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo fletë informacioni ofron të dhëna më të thelluara në lidhje me kontrollet dhe mënyrën e aplikimit.

                                                                                                                                                                                                                                                 

Cilat janë kontrollet e ndryshme të DBS-së dhe çfarë informacioni ndajnë ato?

 

Një "certifikatë DBS bazë" tregon të dhënat mbi shkeljet e rënda ose shkeljet që kanë çuar në një dënim të gjatë me burgim.

Një "certifikatë DBS standarde" tregon të dhënat mbi shkeljet e rënda ose çdo vepër penale përkatëse.  Sipas legjislacionit të MB, disa prej shkeljeve të kaluara nuk do të zbulohen nëse personi konsiderohet se e ka kaluar "periudhën e rehabilitimit" të përcaktuar me ligj.

Një "certifikatë DBS e zgjeruar" tregon të njëjtin informacion si një certifikatë standarde, si dhe çdo informacion tjetër të regjistruar që konsiderohet me interes nga policia.

Një "certifikatë DBS e zgjeruar me listat e ndalimit" tregon të njëjtin informacion si në kontrollin e zgjeruar, si dhe të gjitha të dhënat e personave në listën e ndalimit. Lista e ndalimit është një listë e DBS-së që përmban të dhënat e personave që kanë dëmtuar ose kanë potencial të dëmtojnë grupe të cenueshme.

Të dhënat që janë objekt i kontrollit janë të gjitha të dhënat ekzistuese për një person në Databazën Kombëtare të Policisë, duke përfshirë të dhënat e ndara nga Interpoli (ndërkombëtar), Zyra e Rekordeve Kriminale e Shoqatës së Shefave të Policisë (ACRO), si dhe nga vendet me të cilat MB ka një marrëveshje për shkëmbim të dhënash.

Nëse dikush ka një precedent penal për një vepër që nuk konsiderohet krim në Mbretërinë e Bashkuar, kjo e fundit nuk do të zbulohet në certifikatë.

Si mund të aplikoj për një kontroll DBS?

 

1)      Për një kontroll bazë, ju mund të aplikoni online në DBS. Ju mund të aplikoni vetë ose nëpërmjet një organizate të autorizuar prej jush për kryerjen e aplikimit. Për të gjitha llojet e tjera të kontrollit të DBS-së, organizata rekrutuese do t'ju dërgojë një formular aplikimi. Formulari mund t'i dorëzohet organizatës rekrutuese ose një organizate të specializuar që është e autorizuar për “plotësimin” e kontrolleve.

2)      Plotësoni formularin deri në fund, duke dhënë informacione për veten tuaj, për vendin ku keni jetuar dhe për çdo precedent penal që keni detyrimin të zbuloni.   Formulari ju kërkon që të përdorni formatet e datës dhe emrit që aplikohen në MB dhe përmban disa terma teknikë për të cilët mund të keni paqartësi.  Gabimet në formular mund të shkaktojnë vonesa, kështu që rekomandohet të kërkoni mbështetje për plotësimin e tij nga një person i besuar.

Formulari ju kërkon të jepni adresat e banimit gjatë pesë viteve të fundit.

Nëse keni pasur një periudhë të gjatë udhëtimi që nuk lidhet me kërkesën për azil, mund të shkruani "jashtë vendit", duke specifikuar gjithashtu vendin dhe datat. Nëse keni jetuar jashtë shtetit, duhet të shkruani "jashtë shtetit" në rreshtin e parë të adresës suaj të mëparshme, më pas vendosni vendin dhe datat në fushat përkatëse.

Nëse keni pasur periudha si të pastrehë apo jeni zhvendosur nëpër vende ose kampe gjatë udhëtimit në kërkim të azilit, nuk është e nevojshme të jepni adresa për këtë periudhë. Ju mund të shkruani "pa vendbanim fiks" "jashtë vendit", ose "pa vendbanim fiks - MB" dhe datat për periudhat përkatëse. Nëse keni qenë viktimë e skllavërisë moderne (trafikimi), nëse jeni ndaluar në qendrat e paraburgimit për imigracionin ose jeni hasur me rrethana të tjera që mund të jenë të vështira për t'u shprehur në formular, mund të kërkoni këshillim duke kontaktuar linjën e ndihmës së DBS-së përpara se të dorëzoni formularin.

 

Shënim: Nëse keni qenë në një qendër paraburgimi për imigracionin, jo për shkaqe që lidhen me një krim të pretenduar ose të ndjekur penalisht, kjo nuk përbën një precedent penal dhe nuk jeni të detyruar ta zbuloni atë.

 

3)      Ju duhet të vërtetoni identitetin tuaj duke paraqitur dokumentet origjinale sipas listëssë miratuar e DBS-së. Nëse një gjë e tillë është e pamundur, keni si alternativë mundësinë për të kërkuar marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.

Nëse deklaroni se dëshironi t'ju marrin gjurmët e gishtërinjve për qëllime kontrolli, do te vijohet me një proces administrativ i cili përfshin njoftimin e DBS-së nga organizata rekrutuese lidhur me zgjedhjen tuaj për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe, më pas, me konfirmimin e kësaj me anë të postës. DBS-ja do të lidhet me policinë lokale, e cila më pas do t'ju ftojë të paraqiteni për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve (kjo ftesë mund të vijë me anë të një letre ose telefonate). Ky proces mund të kërkojë kohë.

Është e rëndësishme që të dini se ky ndërveprim me policinë nuk ndodh sepse jeni të dyshuar. Kjo ndodh sepse nevojiten oficerë të trajnuar për përfundimin e kësaj procedure në një mënyrë që të mbrohet identiteti dhe të dhënat tuaja. Ju po ndërveproni me policinë si një person që kërkon të kontribuojë përmes punës ose vullnetarizmit dhe kontakti që përjetoni duhet të jetë pozitiv. Nëse e keni praktikisht apo emocionalisht të vështirë që të shkoni në një komisariat për t'ju marrë gjurmët e gishtërinjve apo për t'u paraqitur në datën e takimit, ju mund ta bëni këtë me dije dhe të pyesni nëse mundësohet ndonjë zgjidhje alternative. Ju keni gjithashtu mundësinë të paraqiteni të shoqëruar.

4)      Pas dorëzimit të formularit dhe verifikimit të identitetit tuaj, shërbimi DBS përdor informacionin e dhënë për të kontrolluar dosjet penale sipas rregullave të rrepta ligjore. Ata shqyrtojnë informacionin në dispozicion, zbatojnë çdo rregull ligjor mbi të dhënat që duhet të zbulohen dhe printojnë një certifikatë ku zbulohen të dhëna që konsiderohen të rëndësishme për rolin për të cilin po aplikoni.  Kjo certifikatë ju dërgohet me postë.

Rekrutuesi do të kërkojë të shohë certifikatën. Ju nuk jeni të detyruar ta tregoni atë, por nëse refuzoni ata nuk do të mund t'ju rekrutojnë.  Nëse menaxheri i rekrutimit dëshiron të flasë me ju në lidhje me një informacion në certifikatën tuaj, mos hezitoni të kërkoni që ta bëni këtë në një vend dhe hapësirë ku ndiheni komod. Rekomandohet të kërkoni këshillim përpara takimit ose të sillni një person të besuar për mbështetje, veçanërisht në rast se keni pengesa gjuhësore ose kulturore.

5)      Ju mund të konsideroni të regjistroheni në Shërbimin e Përditësimit të DBS-së. Në këtë mënyrë certifikata juaj e DBS-së do të përditësohet vazhdimisht dhe rekrutuesit e ardhshëm do të kenë mundësi ta konsultojnë atë. Nëse aplikoni për një rol të ri që kërkon një kontroll të një niveli të ngjashëm, rekrutuesi mund ta kryejë kontrollin nëpërmjet sistemit të përditësimit në vend që t'ju kërkojë të përsërisni të gjithë procesin. Ju mund të aplikoni sapo të merrni një numër aplikimi DBS dhe deri në 30 ditë pas datës së lëshimit të certifikatës (kjo nuk është e disponueshme për kontrollin bazë).

Ndihmë lidhur me DBS-në

Ju mund të kërkoni ndihmë duke kontaktuar linjën e pyetjeve të DBS-së (customerservices@dbs.gov.uk 03000 200 190) nëse

·         keni paqartësi lidhur me çka duhet të shkruani saktësisht në aplikimin tuaj

·         nuk e dini nëse një pyetje është e vlefshme për rastin tuaj

·         keni një dokument identifikimi që nuk është në listën e miratuar

·         keni pyetje të tjera gjatë aplikimit për një kontroll DBS.

 

Nëse jeni transgjinor dhe nuk doni të zbuloni detajet e identitetit tuaj të mëparshëm për rekrutuesin, mund të kontaktoni ekipin e aplikimeve për transgjinorëttë DBS-së.

Problematika dhe shqetësime

 

Problematika me kontrollet ndërkombëtare

Nëse nuk mund të plotësoni kërkesat e rekrutuesit për paraqitjen e një certifikate të sjelljes së mirë nga jashtë vendit, mund të kërkoni që të bëhet një përjashtim. Kjo do të thotë se rekrutuesi do të kërkojë informacione të tjera për të krijuar besim tek ju. Ata mund të ndërmarrin një vlerësim rreziku, të aksesojnë referenca të mëtejshme, t'ju ndryshojnë rolin, t'ju kërkojnë të nënshkruani një formular vetëdeklarimi apo të bëni një betim.

Formulari i vetëdeklarimit kërkon që ju të nënshkruani një deklaratë me shkrim ku shpreheni se nuk keni precedentë penalë, ose të ndani një precedent penal që duhet të zbulohet në bazë të ligjit.

Betimi ka të njëjtën vlefshmëri me sa më sipër, por deklarata dëshmohet, vuloset dhe autorizohet nga një avokat ose ''Komisioner për Betimet'' i regjistruar në BE. Shumë rekrutues nuk janë në dijeni të këtyre mundësive.

Nëse keni probleme me aplikimin online

Nëse po aplikoni për një kontroll DBS online dhe nuk mund ta vazhdoni aplikimin për shkak të një problemi me historikun e adresave ose sepse nuk mund të siguroni një certifikatë të sjelljes së mirë, kërkoni ndihmë. Ju mund të ngrini një shqetësim pranë organizatës që kryen kontrollin e DBS-së ose të kërkoni mbështetje nga DBS-ja, rekrutuesi juaj, një punonjës komuniteti ose një avokat.  Këto probleme ndonjëherë vijnë si rezultat i mënyrës së konceptimit të sistemeve elektronike ose për shkak se sistemi kërkon një tjetër formë regjistrimi të vendeve ku keni qenë. Përgjithësisht këto janë probleme që gjejnë zgjidhje.

Nëse keni precedentë penalë

Nëse keni precedentë penalë, Unlockështë një organizatë e pavarur bamirësie që ofron informacione të besueshme dhe shërbime këshillimi për personat që janë dënuar në të kaluarën. Ata gjithashtu mund të ofrojnë këshillim dhe mbështetje të pavarur e të paanshme për punëdhënësit dhe profesionistët e Burimeve Njerëzore që marrin vendime rekrutimi bazuar në informacionin mbi precedentët penalë.

Kjo fletë informacioni u hartua nga Migration Yorkshire në dhjetor 2022. Nëse keni pyetje, na kontaktoni dhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale për t'ju ndihmuar: admin@migrationyorkshire.org.uk  ose 0113 378 8188

Logo for Asylum Migration and Integration Fund

Logo for Refugee Integration Yorkshire and Humber